9 shtator 2013- Një 27 vjeçar ka rrahur barbarisht me grushta e shpulla nënën e tij vetëm pse i ndryshoi vendin e xhelit të flokëve.

Sipas Panoramës, kjo i ka ndodhur një 50-vjeçareje në kryeqytet në ditët e para të muajit shtator. Ajo është dhunuar nga djali i saj, me të cilin prej vitesh i ka marrëdhëniet e acaruara. Sikur të mos mjaftonte dhuna fizike, 50-vjeçarja B.S. është kyçur nga i biri në një prej dhomave të shtëpisë, nga e cila ka mundur të dalë vetëm pasi ka thyer derën. E pafuqishme për t’i bërë ballë një situate të tillë, 50-vjeçarja ka kallëzuar të birin F. S. në Polici dhe pak ditë më parë, ajo ka marrë një urdhër mbrojtjeje në Gjykatën e Tiranës.
Për të njëjtën ditë ajo ka shpjeguar se djali e ka rrahur edhe në sy të disa fqinjëve, si edhe e kishte mbyllur me çelës në një dhomë të shtëpisë.