Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët.
Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.
Fqinjët e të moshuarve thanë për Euronews, se për të moshuarit kujdesej një grua që paguhej nga vajza e tyre, e cila jetonte jashtë vendit, ndërsa djali që i vuri flakën shtëpisë është i sëmurë.
“Kishin një punëtore, kishte dy ditë që kishte ikur. Kishin atë djalin e tyre, kanë edhe një vajzë. Janë të dy të paralizuar, djali ishte i sëmurë”, thotë një fqinje.
“Për pleqtë kujdeset një grua, e paguan vajza që jeton jashtë shtetit. Nuk pamë gjë, vetëm dëgjuam zhurmë, kishte zjarrfikës, polici”, tregon një fqinje tjetër.