Gjendja shëndetësore e dy të moshuarve Asie e Destan Nezirit, që u plagosën një ditë më parë në Durrës nga djali i tyre 25-vjeçar me thikë, ka ardhur duke u përmirësuar.
75-vjeçari është shtruar në repartin e kirurgjisë, ndërsa bashkëshortja e tij pritet të dalë sot nga reanimacioni ku gjendet prej 24 orësh.
Fisniku është djali i tyre më i madh i cili iu qëndron te koka prindërve. Ai thotë se nuk e ka kuptuar akoma se çfarë e shtyu vëllanë e tij Hajriun që të plagoste prindërit me thikë. “Ishte momentale nuk di si ta shpjegoj”, tha Fisniku.
“Isha në punë në Tiranë, erdhën të dy, vëllai dhe nusja e tij. I pyeta çfarë kishin, por asnjëri nuk tha asnjë fjalë. Vëllai kishte një të çarë në pëllëmbë të dorës dhe i thashë eja të të çoj në spital. E çova tek Trauma për mjekim. As nusja e as ai nuk më thanë gjë. Kuptova se diçka kishte ngjarë në shtëpi me prindërit. Ja lashë një polici që gjendej te spitali i Traumës. I thashë lajmëro policinë që të vijë t’i marrë se këta diçka e kanë bërë”, tregon Fisnik Neziri.
Vëllai i tij tregon se Hajri Neziri ka punuar për gati pesë vjet së bashku me të në të njëjtën firmë private. Më pas e la punën dhe gjendej i papunë.
Destan Neziri 75 vjeç, i cili gjendet në spital në repartin e kirurgjisë është shumë më mirë nga 24 orë më parë kur erdhi në spital i larë në gjak. Ai tha për “DurrësLajm”, se ngjarja ndodhi shumë shpejt.
“Ishim duke parë një ndeshje futbolli dhe u bë një gol kur ndodhi ngjarja. Unë nuk e hedh poshtë djalin tim se ai bëri një gabim. Unë jam prind e një prind për fëmijën e ka zemrën të madhe. Kur të shërohemi së bashku me gruan do e shikojmë djalin”, tha 75-vjeçari nga reparti i kirurgjisë ku është i shtruar.
“Djali e kreu atë veprim në një moment zemërimi, por ishte nusja e cila na doli në krahë dhe po përpiqej të ndalonte djalin”, tha Destani.
Të dy prindërit kanë punuar mësues secili në arsimin e ciklit të ulët, deri sa kanë dalë në pension.
K.H.





