Cristiano Ronaldo, si rrallëherë në karrierën e tij, u bë protagonist i një gjesti aspak të hijshëm teksa i përplasi telefonin në tokë një tifozi gjatë kohës kur po i drejtohej dhomave të zhveshjes. Shtypi anglez kryqëzoi yllin e Man.United, por ky moment me sa duket nuk mbyllet me kaq, pavarësisht se CR7 kërkoi ndjesë publikisht.
Sipas mediave në ishull, policia ka hapur tashmë një hetim për atë veprim të bërë nga Ronaldo që po bën xhiron në rrjetet sociale. Së fundmi ka reaguar edhe nëna e tifozit:
“Futbollistët e Man.United po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, shumë pranë tunelit ndodhej edhe djali im. Në një moment Ronaldo uli palestrinat për të treguar këmbën e tij me gjak, në ato momente edhe djali im uli telefonin për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ronaldo ishte i tërbuar dhe në ato momente i përplasi telefonin në tokë. Nuk arrij ta kuptoj se si një personazh i tillë mund të bëjë një gjest të tillë”.
“Jake ishte totalisht i shokuar, ai është autik dhe nuk arrinte ta kuptonte se çfarë kishte ndodhur deri në momentin kur erdhi në shtëpi. Ai është i shokuar, për të ishte hera e parë që shihte një ndeshje në stadium, çdo gjë shkoi në mënyrë perfekte deri në momentin kur Ronaldo prishi gjithçka”, u shpreh ndër të tjera nëna e tifozit.