Të dy makinat që u dogjën pranë bulevardit të Elbasanit janë të dyja në pronësi të ish-kryetarit të gjykatës Arben Vrionit. Deri më tani dyshohet se të dy makinave zjarri u është vënë qëllimisht pasi automjetet kanë qenë larg njëra tjetrës. Mësohet se një prej tyre i përket ish-gjyqtarit Arben Vrioni, ndërsa tjetra bashkëshortes së tij.
Bashkëshortja e ish-gjyqtarit Vrioni punon në Bashkinë e Elbasanit në zyrën e Urbanistikës. Të dy, burrë e grua i kishin parkuar makinat e tyre poshtë pallatit, ndërsa qytetarëve dëshmojnë se para flakëve është dëgjuar një shpërthim i fortë. Dy makinat AA 040 OK tip “Benz GLK” në pronësi të Arben Vrionit dhe mjeti AA502 XZ “Benz CLA” i bashkëshortes kanë qenë me një distancë ndaheshin nga njëra-tjetra prej katër kosha mbeturinash. Detaj ky që shton dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Arben Vrioni në nëntor të vitit që lamë pas u shkarkua nga detyra si gjykatës, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti parregullsi në të kaluarën e tij. KPK në atë kohë sqaroi se Vrioni u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve të theksuara me pasurinë.
Arben Vrioni u shkarkua nga posti i Apelit të Durrësit në 22 nëntor të vitit të shkuar, pasi nuk justifikonte 85 mijë dollarë. Gjatë gjithë procesit, Vrioni tentoi që të shtynte hetimin në tre shtylla të figurës së tij, me pretendimin se kishte kaluar një infarkt dhe se mjekët i kishin rekomanduar të mos kishte shqetësime gjatë kësaj kohe. Megjithatë procesi vijoi edhe pa pjesëmarrjen e tij, duke sjellë edhe largimin e tij nga detyra. Emri i tij ka qënë i lakuar bashkë me atë të shumë personave të njohura të botës së krimit në vend.
Vrioni ka liruar para kohe nga burgu ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berishën, ka gjykuar dosjen “Vollga” dhe grupin “Shullazi”, ku edhe ka pasur përplasje në sallë me Gilmando Danin.





