Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi sot shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë ku KZAZ nr.6 në Bushat u dogj bashkë me materialet zgjedhore.

“Me sulmin ndaj KZAZ nr.6 të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm”, tha Lleshaj.

Në një deklaratë për median ministri Lleshaj tha se të njëjtin fat do të kenë të gjithë kryebashkiakët të cilët do të tentojnë të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit.

"Ndërrimi i qimes, nuk ndërron zakonin, vesi del me shpirtin thotë populli. Zjarri mbrëmë dhe plagosja nga një grup sulmi me punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës në Bushat tregon se opozita që ka humbur arsyen dhe kauzën e saj. Në mënyrë qesharake ata akuzuan policinë se paska sulmuar dhe plagosur veten, se punonjësit e Bashkisë së Vaut të Dejës dhe familjarët e tyre kanë zbatuar urdhërat tanë për dhunë. Kjo tregon qartë se në çfarë gjendje janë drejtuesit e revolucionit imagjinar."

Lleshaj nënvizoi se materialet e djegura zgjedhore në Bushat do të zëvendësohen, ndërsa incidenti nuk i cënon zgjedhjet të cilat sipas tij do të mbahen në gjithë vendin më 30 qershor.