Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, zhvilloi një takim me strukturat e emergjencave, Policisë Bashkiake dhe të shërbimit zjarrfikës, në kuadër të planit të masave pas zjarrit që ra te pallati në zonën e “Farmacisë 10”, ku u dogjën 71 apartamente.

Ristani njoftoi nisjen e një procesi të zgjeruar kontrolli për masat e sigurisë kundër zjarrit në ndërtesat që janë pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, por që nuk kanë kaluar më pas në filtrat e plotë të verifikimit.

“Nga sa kemi parë nga procesi jonë i ndjekjes së punës për ato objekte të cilat, si ai i pallatit që u dogj, dalin jashtë filtrit të kontrolleve të Bashkisë për një mijë arsye të legjislacioneve, arsyetimeve se si funksionojnë objektet që dalin jashtë kuadrit të kontrollit të strukturave të Bashkisë. Me diskutimet që kemi pasur në Këshillin Bashkiak, por edhe për t’iu përgjigjur merakut që kanë qytetarët për banesat ku jetojnë, për t’u krijuar siguri, për të thënë që ne pjesën tonë të punës apo të kuadrit tonë e kemi të ezauruar, ajo që kam vendosur është që të fillojmë menjëherë një kontroll njësoj siç do ta bënim për sa i përket sigurisë së zjarrit për të gjitha objektet, lejet e të cilave janë lëshuar nga institucioni i Bashkisë Tiranë”, njoftoi Anuela Ristani.

Më tej, ajo sqaroi se “për të gjithë ato objekte që nuk kanë pasur mundësi strukturat e Bashkisë të shohin dhe të ndjekin projektin e tyre në faza të avancuara dhe kanë kaluar në kanale të tjera apo dhe nuk i kanë kaluar kanalet e tjera të licencimit dhe të marrjes së certifikatës së objektit, kontrollet do të ndodhin sikur të kishte kaluar”. “Kontrolli për sa i përket sigurisë kundër zjarrit do të bëhet njësoj siç do të bëhej në një objekt që do të kërkonte pastaj certifikatën e përdorimit dhe të gjithë kolaudimin dhe që do të shkonte në një rrugë normale”, u shpreh Ristani.

Në vijim, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës sqaroi gjithashtu se aktualisht kontrollet e sigurisë kundër zjarrit fokusohen kryesisht te subjektet tregtare, kurse për banesat, një rol kyç mbetet ai i administratorëve, të cilët duhet të garantojnë mirëmbajtjen dhe respektimin e kushteve të sigurisë.