Pas apelit të “DurrësLajm“, lidhur me djegien e një stoli dekorues në shëtitoren “Taulantia” pranë “Sfinksit”, ka ardhur edhe reagimi i ashpër i kryebashkiakes Emiriana Sako.

Në një postim në “Facebook”, Sako ka dënuar veprimin duke e cilësuar “akt vandalizmi ndaj asaj që është e të gjithëve“.

Ndër të tjera, në postim kryetarja thotë se “policia bashkiake dhe ajo e rendit do të zbatojnë me rreptësi ligjin ndaj atyre që shkaktojnë të tilla akte vandalizmi në dëm të qytetit”.

Postimi i plotë:

Një fenomen i shëmtuar ka ndodhur në shëtitoren Taulantia ku persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar stolat, madje njërit prej tyre i kane vënë flaken. Në punën e përditshme ka vështirësi dhe sfida por kur ndodhemi përpara veprimeve të tilla është me të vërtetë e vështirë të gjesh një shpjegim: Cili është qëllimi që i duhet vënë zjarri një stoli publik? E pakuptueshme të sulmohet dhe shkatërrohet prona publike që është në funksion të qytetarëve.

Dënojmë çdo akt vandalizmi ndaj asaj që është e të gjithëve, për të cilën kanë dhënë kontribut të gjithë dhe që duhet mbrojtur e ruajtur jo vetëm nga institucionet publike, por nga të gjithe ata që e quajnë veten qytetar të këtij qyteti.

Policia bashkiake dhe ajo e rendit do të zbatojnë me rreptësi ligjin ndaj atyre që shkaktojnë të tilla akte vandalizmi në dëm të qytetit.

Nga ky episod i shëmtuar marrim shkas të apelojmë që të jemi të gjithë bashkë në mbrojtje të pronës publike dhe të tregojmë sa më shume qytetari në përditshmërine tonë.