Zjarri që pushtoi tregun industrial në lagjen “5 Maji” në Tiranë është drejt shuarjes, teksa për qindra tregtarë hapet një kapitull që, sipas tyre, askush nuk e kupton: kush dhe si do të kompensohen dëmet e tyre. Një pjesë e tyre flasin për qindra mijëra euro dëme, ndërsa autoritetet nuk kanë përcaktuar ende shkaqet e ngjarjes.
Sipas këtyre të fundit, ka dyshime për një shkëndijë elektrike, por askush nuk mban përgjegjësi nëse kishte mirëmbajtje, inspektime apo ndërhyrje për ta parandaluar një ngjarje të tillë. Tregtarët denoncojnë se zjarrfikëset nuk u paraqitën me pajisjet e duhura dhe se autoritetet nuk i lejuan të shpëtonin mallin.
Këto janë pasojat e zjarrit apokaliptik që mbajti të pushtuar përgjatë gjithë mbrëmjes së të enjtes dhe mëngjesin e së premtes tregun industrial të ish-uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Ajo çfarë ka mbetur nga objekti trekatësh janë sendet metalike dhe gërmadhat, teksa gjithçka tjetër është shkrumbuar.
Tymi del ende nga disa vatra të vogla që janë aktive. Tregtarët janë të shokuar dhe të tronditur, teksa flasin për pasoja që kapin vlera të pallogaritshme, por ngrenë supet kur pyeten nëse shpresojnë në ndonjë kompensim.
Policia ende nuk ka sqaruar zyrtarisht shkakun, ndërsa në rrugë informale flitet për një incident elektrik. Edhe pse gjysmëzyrtarisht thuhet se pikërisht në vendin që shikoni në pamje ka nisur shkëndija, askush nuk sqaron nëse, në një kapanon kaq të madh, cilat ishin masat që kishin marrë autoritetet për të parandaluar ngjarje të tilla, si mjetet kundër zjarrit, inspektimet, kontrollet dhe mirëmbajtja.
Kur ka kaq shumë paqartësi mbi këtë situatë, fatkeqësisht ka prej tyre që tentojnë të bëjnë vetëgjyqësi, si këta tregtarë që fajësojnë njëri-tjetrin, duke bërë që policia të kryejë shoqërimin e tyre pas përplasjeve gati fizike.
Jashtë kamerave, në një nga zonat e nxehta të ndërtimtarisë shumëkatëshe, siç është lagjja e “5 Majit”, ku pallatet kanë arritur deri ngjitur me tregun, tregtarët dhe banorët nuk e fshehin dyshimin se mund të kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme./Syri.net





