DURRES – Teuta ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës që do të zhvillojë ndaj Lushnjës, në kuadër të fazës përgatitore. Durrsakët kanë premtuar se do të bëjnë autokritike ndaj Lushnjes, në miqësoren që do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 14.00, tek fusha me bar sintetik.
Pas ndeshjes me Partizanin, tekniku Begeja u ka dhënë pushim të tijëve, për t’iu kthyer sërish fushës së blertë paraditen e sotme. Nga sot Teuta do të nisë pargatitjet për miqësoren e radhës, atë që do të luajë me ekipin e Lushnjes. “Djemtë e detit” më herët kanë zhvilluar edhe dy miqësore të tjera, por nuk kanë fituar asnjë takim, duke barazuar me Kukësin dhe humbur me Partizanin. Ndonëse ndeshje miqësore ata nuk do “guxojnë” ta zhgënjejnë sërish publikun e tyre.
“Kemi zhvilluar në fushën tonë dy ndeshje miqësore, por nuk kemi fituar asnjë, prandaj ndaj Lushnjes nuk duhet ta diskutojmë fitoren. Jam plotësisht dakort që janë ndeshje miqësore që shërbejnë për të përë gjendjen e skuadrës, por nga ana tjetër duhet të marrim parasysh që luajmë përpara publikut tonë dhe duhet ta kënaqim atë”,- pohoi Ansi Nika, shkodrani, i cili luan sezonin e tij të dytë në radhët e “djemve të detit“.
Mungesat
Edhe këtë herë Teuta do të ketë mungesa në përballjen me Lushnjen. Durrsakët do të përballen me lagunarët me dy mungesa shumë të rëndësishme, siç janë portieri dhe njëkohësisht kapiteni i skuadrës Bledian Rizvani dhe mesfushori Altin Hoxha. Ndonëse gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm, mësohet se ata nuk do të jenë të gatshëm për të qenë në dispozicion të skuadrës. Si Rizvani ashtu dhe A. Hoxha pritet të jenë gati për ndeshjen e parë zyrtare që skuadra do të zhvillojë me datë 02.02.2013 në shtëpi, ndaj Bylisit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.