Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti lajmëroi pak më parë se është larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim pas 16 vitesh angazhim në këtë parti.
Përmes një postimi në Facebook, Panariti shpjegoi se arsyeja e largimit ka të bëjë me ftesën e marrë për t’u angazhuar në një detyrë të rëndësishme.
Ndonëse ish-ministri nuk shpjegoi më gjatë rreth detyrës së rëndësishme në të cilën do të angazhohet, mediat shkruajnë se Panariti do të marrë postin e Drejtorit të Kabinetit në Presidencë, në vend të diplomatit Arben Cici.
“Të dashur miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë!
Që nga dita e sotme kam vendosur të ndërpres angazhimin tim si pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shkak të një ftese për t’u angazhuar në një detyrë të rëndësishme.
Me këtë rast më lejoni t’ju falenderoj përzemërsisht për këtë rrugëtim 16 vjeçar të përbashkët, plot sfida, sakrifica dhe arritje.
Duke ju shprehur mirënjohje dhe falenderim për miqësinë vlerësimin dhe mbështetjen, ju siguroj që do të mbetem miku juaj përherë.”, shkruan ish-ministri në postimin e tij.





