Pas deklaratave të Ilir Metës nga Lezha i cili tha se do e armatosë popullin nëse policia nuk kap autorët e sulmeve në fushatë, duke iu referuar dhunimit të një mbështetësi të LSI-së, ka reaguar Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit shpreh “keqardhjen për sulmin e sotëm mbi Policinë e Shtetit nga ana e një lideri politik” por deklaron se personi i dhunuar nuk ka dhënë asnjë indicie për identifikimin e autorëve.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Keqardhje për sulmin e sotëm mbi Policinë e Shtetit nga ana e një lideri politik, lidhur me incidentin e ndodhur në Lezhë.
Ashtu sikundër e ka komunikuar me transparencë të plotë më parë, Policia e Shtetit përsërit se ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk ka asnjë provë për prapavijën politike të incidentit.
Pretendimet e personit të goditur po vazhdojnë të hetohen. Por mbetet fakti që në deponimin e tij ai ka folur për persona të panjohur dhe nuk ka raportuar asgjë konkrete që të ngrihet dyshimi i arsyeshëm se incidenti është i motivuar politikisht.
Policia e Shtetit do të vazhdojë të kryeje me përgjegjshmërinë më të lartë profesionale detyrën e saj kushtetuese e ligjore dhe u bën thirrje të gjitha subjekteve e liderëve politikë të shmangin çdo përfshirje direkte ose indirekte të Policisë së Shtetit në retorikën e tyre elektorale.





