Alessandra Martines është e lumtur për shtatzëninë që po kalon, e cila duket se po i ndryshon jetën. Aktorja 49-vjeçare është në muajin e katërt të shtatzënisë dhe mezi pret të sjellë në jetë fëmijën, të cilin e ka me shokun e saj Cyril Descours, aktorin francez që sapo ka mbushur 29 vjeç. Një diferencë moshe e ndjeshme, por që nuk e tremb aspak Martines.
“Gjithmonë i njëjti diskutim: nëse do të isha burrë, askush nuk do të skandalizohej. Isha me një bashkëshort (Claude Lelouch, ish-bashkëshorti i saj, regjisor i çmimit Oscar) që ishte 26 vjeç më i madh se unë dhe askush nuk qeshte” ka thënë aktorja, e cila më tej ka rrëfyer për emocionet e shtatzënisë. “Çdo ditë mas barkun: është i vetmi moment, në jetën e një gruaje, që është e lumtur për belin e trashë. Kisha një vit që e prisja, por nuk po vinte.
Momentin e zgjodhi vetë fëmija dhe mbeta shtatzënë në mënyrë natyrale”, tregon Martines. Aktorja, e lindur në Itali, është bërë e njohur si në vendlindjen e saj ashtu edhe në Francë. Martines njihet edhe nga publiku shqiptar pasi shumë nga filmat apo telefilmat ku ajo merr pjesë janë shfaqur në ekranin e vogël. Martines ka edhe një fëmijë tjetër me ish bashkëshortin e saj, vajzën 13 vjeçare Stella.