Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në konferencë për shtyp premtoi revolucion fiskal. Lideri i opozitës u shpreh se nga ky sistem i ri, rrogat do rriten vetvetiu me 13 përqind dhe çmimet e banesave do ulen ndjeshëm. Kryedemokrati gjithashtu theksoi se tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, do të zbresë në 10 përqind. Ndër të tjera ai thaeksoi se tre muajt e parë të qeverisjes së PD, pagat e të gjithë rrogëtarëve shqiptarë, të cilat tatohen me fitimin mbi pagën, do rriten 13 përqind.
“Dy filozofi përballen në këtë fushatë. Filozofia e lirisë ekonomike me filozofinë e kufizimit të kësaj lirie.
Më shumë se në çdo fushë tjetër, kjo shprehet në qëndrimin e barrës fiskale që rëndon nbi qytetarët,
Filozofia e lirisë ekonomike është e taksës së sheshtë mbi tatim fitimin 10 përqind, Filozofia e zhvatjes së bizneseve dhe qytetarëve, dhe kufizimit të kësaj lirie, tatim fitimin e ka 15 përqind. Tatimi mbi pagat për ne do jetë 10 përqind. Aktualisht është 23 përqind.
Të dashur qytetarë, tre muajt e parë të qeverisjes së PD, pagat e të gjithë rrogëtarëve shqiptarë, të cilat tatohen me fitimin mbi pagën, do rriten 13 përqind. Pra, rrogëtarët do kenë një rrogë reale 13 përqind më shumë se sot.
Dhe kjo është një rritje e paparë në 12 vite. Tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, zbret në 10 përqind. Biznesi i vogël pa TVSH, do të jetë gjer në 180 mijë euro xhiro vjetore. Pra, sot mbi 100 mijë euro xhiro vjetore, aplikohet TVSH-ja. Ky tavan rritet në 180 mijë euro.
Biznesi i vogël pa tatim fitim, do të jetë biznesi me xhiro vjetore gjer në 180 mijë euro, nga 140 mijë euro që është sot. Taksa e transferimit të pronës nga 15 përqind në sistemin e plaçkitjes, do të zbresë në 2 përqind në sistemin e lirisë ekonomike. Taksa e ndikimit të infrastrukturës nga 8 përqind do të zbresë në 2 përqind.
Në qoftë se e para është 8 përqind të çmimit të referencës, taksa jonë do të jetë 2 përqind të preventivit, pra i bie një ulje shumë, shumë e madhe. Një ulje mbi 10-15 herë, çka do ketë ndikim direkt në çmimin e apartamenteve dhe sipërfaqen e ndërtimit.
Taksa e strehimit social është 3 përqind, shfuqizohet tërësisht. Taksat lokale do të jenë maksimumi 1 përqind e xhiros. Sot janë pa tavan, arrijnë në 8 dhe 10 përqind të xhiros. Dhe së fundmi, taksa tabu që e paguan çdo shqiptar në çdo kafshatë që merr, në çdo gjë blen, për gjithçka, nga 20 përqind, zbret në 15 përqind dhe ky është një rekord. Bëhet taksa më e ulët në Europë dhe ndër më të ulëtat në botë. Me këtë revolucion fiskal ne synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin.
Të krijojmë mundësi kursimesh dhe investimesh për bizneset. Të krijojmë mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit. Por vetvetiu ky sistem fiskal rrit 13 përqind të rrogave të shqiptarëve, pavarësisht nga premtimi ynë për rrogën mesatare 1200 euro që kemi bërë. Mendoj se dallimi është si nata me ditën, ndaj ftoj shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre. Është në interesin më të mirë që ata kanë, të rrogave dhe pensioneve të tyre,” tha Berisha.