Gjatë mbledhjes së komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca është munduar të sqarojë deklaratën e saj për akademinë e barinjve, të thënë nga ajo pak ditë më parë.
Krifca është shprehur se kjo akademi është marrë shembull nga vendet e botës që e aplikojnë si Zvicra, Anglia apo Spanja dhe se kjo bëhet për të ruajtur traditën në këtë zanat duke afruar sa më shumë të rinjtë jo vetëm në blegtori por edhe në zanatin e fermerëve të rinj.
“Mund të bëj një sqarim në keqkuptimin e ndodhur në mbledhjen e kaluar. Një keqkuptim i ndodhur dhe me artikulimin e fjalës akademi. Në lidhje me fjalën akademi kjo është një eksperiencë që nuk e kemi shpikur por e kemi parë në disa vende, Zvicra Anglia Spanja e kanë një qasje drejt zgjidhjes së problemit të migrimit të njerëzve nga profesioni i bujkut të cilët po përpiqen ti adresojnë duke dhënë mbështetje në formimin e tyre për ti angazhuar në këtë profesion. E kemi konsultuar dhe me donatorët, që si drejtoreshë e AZHBE jam konsultuar dhe me universitetin bujqësor, që në 2018 kemi filluar të mbështesim stanet. Është një program që do të vazhdojmë ta përforcojmë dhe ta ndihmojmë për të ruajtur traditën në fusha të tilla. Kjo jo e shprehur vetëm në blegtori dhe zanatin e barinjve por dhe në zanatin e fermerëvë të rinj që i bashkohen trupës së bujqësisë. Ky ishte sqarimi që doja të bëja“, tha ministrja.





