“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë ‘makthi më i keq’ i Iranit, nëse ata nuk bien dakord me planin e paqes”.

Ky ishte paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për Teheranin, gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ku këmbënguli përsëri që Irani duhet të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Trump kërcënoi se “nëse Teherani nuk ulet në tryezën e negociatave, SHBA do të vazhdojnë t’i hedhin në erë”.

Paralajmërimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhi një ditë, pasi Irani hodhi poshtë planin e paqes të SHBA-së, që thuhet se kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor dhe të kufizonte raketat balistike. Në mbledhjen e kabinetit, Steve Witkoff, i dërguari special i Trump, konfirmoi se SHBA-të i paraqitën Iranit një plan paqeje me 15 pika, pa dhënë detaje mbi propozimin.

Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani, apo vendimin e tij për të vendosur trupa tokësore në Lindjen e Mesme, por paralajmëroi se regjimi do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk pranon një armëpushim.

“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq. Ne thjesht do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë. Të papenguar, të pandalur”, tha Trump.

Në katër javë luftë, Trump thotë se SHBA-të kanë goditur aftësinë ushtarake të Iranit “në një nivel që pak njerëz e kanë parë ndonjëherë më parë”, kanë zhdukur plotësisht forcat detare dhe ajrore, si dhe kanë rrëzuar rreth 90% të raketave të tyre.