Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konferencën “Sfida dhe vizione në shendetësi” në bashkepunim me KAS ka folur për për reformën rrënjësore në shëndetësi dhe planin e PD.

Basha komentoi dhe deklaratën e kryeministrit Rama, bërë ditën e djeshme se do kthente mjekët nga Diaspora.

“Buxheti i shtetit për shëndetësinë është 115 dollarë për frymë, tre herë më pak se Bosnja. Nuk janë koncesione dhe PPP. Janë vjedhje me kosto 35-40 milionë euro në vit. Me këtë shumë sistemi shëndetësor mund të sillet në parametra të pranueshëm. Problemet janë të qarta. Nisin dhe bazohen mbi gënjeshtrën e madhe të shëndetësisë falas. Ky është një slogan dhe parullë mashtruese dhe gënjeshtare në fillim. Kësaj përqasje propagandistike i është shtuar edhe centralizimi i skajshëm në disa raste duke kaluar edhe atë komunist.

Është e pabesueshme dhe le ta përgënjeshtrojnë nëse kjo që deklaroj në bazë të analizave të ekspertëve tanë. Arsyeja nuk qëndron tek mungesa e vizionit, por tek vjedhja e kësaj qeverie, tek paaftësia dhe keq menaxhimi i institucioneve shëndetësore, keqpërdorimi politik i tyre, gjë që është kriminale. Faturën nuk e paguajnë vetëm mjekët, stazhierët, doktorët, e paguajnë drejtpërdrejtë shqiptarët. E dëgjuat marrëzinë e djeshme që do kthejmë mjekët nga diaspora. A ka kufi marrëzia që ndërkohë që po ikin, ti del dhe harxhon qindra mijëra lekë me regji qendrore dhe ti thuaj do ti kthejmë nga diaspora. Po ti mbaj njëherë këta që ke këtu”, u shpreh Basha, ndërsa theksoi se pas ardhjes së PD në qeveri do të rritet numri i barnave të rimbursueshme.

“Pagat e personelit shëndetësor do te rriten ne 1200 Euro ne muaj për mjeket dhe 700 Euro ne muaj për infermieret. Do te rrisim numrin e barnave te rimbursueshme. Ne Shqipëri do te futen vetëm barna nga vende te origjinës se sigurte, qe nuk dëmtojnë shëndetin e shqiptareve. Nevojitet liberalizim i paketave shëndetësore sipas nevojave të pacientit. Shqiptaret nuk do te blejnë me barna nga xhepi, nuk do te duhet te paguajnë bakshishe nen dorë.”