Ditën e djeshme gazetari Artan hoxha ka nxjerrë videon e plotë të histori-skandalit që tronditi opinionin publik. Materiali filmik kalon përtej një raporti intim mes Safet Gjicit dhe gruas që i shkoi në zyrë dhe i kërkoi punë, shtëpi me qira dhe edhe një tender që më pas do të firmosej nga nënkryetari i bashkisë, emri i të cilit dje është bërë publik në media.

Gazetari Hoxha ka mundur ta publikojë të plotë atë video-skandal ndërkohë që ende prokuroria e Posaçme e cila pretendon se ka nisur hetimet, nuk ka bërë me dije se për çfarë do të akuzohet kryebashkiaku që dha dorëheqje ditën e shpërthimit të skandalit. Por do të jenë bisedat që janë zhvilluar në zyrën e Gjicit mes tij dhe gruas që gjendej me të që lidhen me “shpërdorimin e detyrës” që pritet të vënë nën akuzë ish-kryebashkiakun, i cili dyshohet se i dha mundësinë që gruaja të përvetësonte edhe një tender që lidhej me qentë e rrugëve.

Ditën e djeshme është hedhur në rrjete sociale dhe në mediat “online” edhe pjesa tjetër e videos, e cila tashmë do të shërbejë si provë për prokurorët e SPAK. Këta të fundit kanë mbërritur në Kukës dhe kanë nisur edhe grumbullimin e provave, ndërkohë që vajza që gjendet në videoskandalin e kryebashkiakut të Kukësit, i rizgjedhur vetëm pak ditë më parë nuk ka të drejtë të largohet nga Shqipëria. Ajo do të jetë në dispozicion të hetimit, ndërkohë ende nuk dihet se si u realizua filmimi në zyrë dhe se sa kohë kanë që njihen me njëri-tjetrin dy personazhet që tronditen vendin, duke sjellë në vëmendje abuzimet që vijnë nga pozitat shtetërore në vendin tonë.

SPAK NË BASHKINË E KUKËSIT

Në fakt, prej ditësh u lajmërua se SPAK do të zbarkonte në ambientet e Bashkisë së Kukësit për të kryer kontrolle dhe bllokuar pamje filmike. Ditën e djeshme u mësua se Prokuroria ka shkuar në ambientet e kësaj godine ku ka sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë por edhe dokumente të ndryshme, në kuadër të hetimit që po kryhet për shpërdorim detyre ndaj ish-kryebashkiakut Safet Gjici, i cili u përfshi në skandal, pas publikimit të një video ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua tashmë të identifikuar. Burime për “News 24” bënë me dije se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit qëndruan për afro 30 minuta në Bashki dhe pasi morën kontakt me punonjësin e IT-së, bënë sekuestrimin e serverit. Kjo me qëllim për të verifikuar hyrje-daljet në institucion të gruas që shfaqet në video intime me Gjicin, si dhe personat që mund të kenë pasur kompakt me të. Në këtë mënyrë, SPAK do të mund të përcaktojë kohën e realizimit të videos, ndonëse materiali filmik shënon data 6 qershor ora 16.00. Ndërkaq, janë marrë edhe disa dosje për të verifikuar nëse gruaja ka paraqitur ndonjë projekt pranë bashkisë dhe nëse është miratuar ose jo.

Nga ana tjetër, SPAK e ka identifikuar gruan, e cila banon bashkë me fëmijën në moshë të mitur në Durrës, dhe ka urdhëruar që ajo nuk duhet të lërë vendin, pra nuk do të lejohet të udhëtojë, për sa kohë që rrëfimi i saj është kyç për hetimin. SPAK po heton për shpërdorim detyre, por sekuestrimi i videos së plotë, e cila mendohet të jetë rreth 15 minuta, mund të nxjerrë në dritë detaje që mund të përfshijë dhe persona të tjerë në skandal.

Sipas të dhënave pritet që të sekuestrohen edhe praktikat e tenderëve brenda këtij institucioni të pushtetit lokal, ndërkohë që Safet Gjici bëhet kryebashkiaku i disatë që lë zyrën për shkak të skandaleve, jo vetëm seksuale!