Detaje të reja kanë dalë lidhur me garazhin e një pallati 5-katësh te Liqeni i Thatë ku u gjet arsenal armësh.
Burime për FaxNews bëjnë me dije se arsenali i gjetur dyshohet se i përket një grupi të fuqishëm kriminal, që operon në Shqipërinë e Mesme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se armët e sekuestruara, disa prej të cilave edhe ishin modifikuar e përshtatur si Snajper me shënjestra optike, do përdoreshin për ekzekutime mafioze.
Zbulimi i këtyre armëve, mund të zbardhë edhe atentate, apo tentativa vrasjeje që kanë ndodhur vitet e fundit. Hetuesit janë duke kryer hetime intensive për identifikimin e personave të tjerë që janë pas këtij aktiviteti, pasi sipas të dhënave i riu i arrestuar nuk është i vetëm i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë armët janë dërguar në laboratorin e ekspertizës jo vetëm për të mësuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale, por edhe për të gjetur shenja gishtërinjsh apo gjurmë ADN-je, të personave të tjerë tek armët e sekuestruara.
Gjithashtu për ekspertizë janë dërguar dhe aparatët celularë dhe laptopi i sekuestruar, me shpresë për të zbardhur aktivitetin kriminal të personave të përfshirë.
Kujtojmë se arsenali i armëve u gjet ditën e djeshme në garazhin e një pallati 5-katësh te Liqeni i Thatë.





