5 shkurt 2015 – Dje gjatë takimit me qytetarët, që ishin mbledhur për të denoncuar rastet e hallakatjeve nëpër dyert e spitaleve, Arian Galdini, denoncon edhe shantazhin që i është bërë një ditë më parë.
Galdini ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën, ku i thuhet se do të përfundojë si ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi.
Galdini:Mesazhi i fundit që kam marrë mbrëmë ishte se do të përfundosh si Sokol Olldashi.
Por unë po ju them (preket kthehet me shpinë nga njerëzit me lot sy), unë nuk kam makinë, unë eci në këmbë.
Jam çdo ditë në këmbë në rrugët e këtij qyteti. Kushdo që mendon se unë do të kem fatin e cilit do që ka ikur nga kjo jetë, ja ku jam dhe kur të dal nga kjo derë do dal në këmbë.
Edhe kur të shkoj nesër në punë tek studentët e mi do shkoj prap në këmbë. Kur të shkoj të takoj tim bir do të shkoj prap në këmbë.
Ju sfidoj, por nuk ju lejoj ta mbysni këtë zë. Nuk ju lejoj sepse nuk dua që qytetarët e vendit tim të ndihen përfundimisht të pashpresë.
Arian Galdini ka bërë kallëzim për kanosje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe paralajmëron se, beteja nën moton: ‘Unë Dëshmoj, Unë Akuzoj’, vazhdon. "Do të ngremë zërin për një Shëndetësi të Mbrojtjes së Jetës dhe Dinjitetit Njerëzor.”





