Përfaqësues të 135 familjeve të kompleksit të ri të banimit, të ndërtuar në lagjen nr.17 në Durrës, zhvilluan sot një protestë para bashkisë.
Pavarësisht se kanë kaluar rreth 5 muaj, që nga dorëzimi i çelësave të apartamenteve të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit, banorët ende nuk u janë gëzuar shtëpive të reja në banesat kolektive nr. 1 dhe 3, rruga “Lura”, si dhe nr. 15 dhe 23 rruga “Ahmet Dakli”.
Për më tepër, familjarët, pjesa më e madhe e tyre pensionistë, vazhdojnë paguajnë çdo muaj banesat me qira, duke u krijuar vështirësi të shumta ekonomike. Për ta konsiderohet tallje, kjo zvarritje e pakuptimtë që në prag të vitit të ri i ka lënë ende pa shtëpi.
“Do presim zgjedhjet, që të bëjnë ata dasëm me daulle, që të futemi brenda në shtëpi? Bonus u bë dy vjet që nuk na japin. Ne kemi marrë borxhe, që po lajmë qiranë.”
“Fat ishte që na dhanë çelësat, se pothuajse 50% të punimeve i kemi kryer me shpenzimet tona. Firma edhe atë punë që ka bërë, e ka bërë pa cilësi. Kemi ardhur t’i themi bashkisë të zgjohet nga gjumi. Ishte më tepër se tallje ndarja e çelësave, se ishte për të mbuluar mangësinë për bonusin e qirasë, që kemi 2 vite pa e marrë”.
“Duke qenë se i kemi marrë që në qershor çelësat, sot jemi në dhjetor, pallati ka mbaruar, infrastruktura lë për të dëshiruar sepse nuk janë bërë as kanalizimet, as ujërat e zeza, as elektriku”.,- janë vetëm disa nga prononcimet e banorëve protestues.
Ndërkohë, burime zyrtare nga pushteti lokal bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se brenda pak ditëve do të mundësohet lidhja e energjisë elektrike për kompleksin e banimit dhe 135 familjet përfituese do të futen në apartamentet e reja.
M.B.