Këtë fundjavë pritet që termometri të shënojë një vlerë deri në 38 gradë celcius. Sipas specialistëve në Institutin e Gjeoshkencave, edhe në tre ditët e para të javës që vjen temperaturat do të jenë në këto vlera ndërkohë që në zonat malore dhe ato urbane pranë tyre nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të shkurtra.
Ekspertët e institutit bëjnë me dije se për shkak të temperaturave të larta të cilat do të mbizotërojnë në të gjithë vendin nuk përjashtohet rreziku nga zjarret. Ata konfirmojnë se mundësia më e lartë për zjarre është në zonat e Lushnjës, Fierit, Sarandës dhe Delvinës.
Specialistë të Institutit të Gjeoshkencave u bëjnë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg këtyre zonave, pasi rreziku i përhapjes së zjarreve është mjaft i lartë. I gjithë muaji gusht pritet të jetë me temperatura të larta, me disa reshje në zonat malore që nuk arrijnë t’i ulin temperaturat.
Pra, të gjithë ata që kanë planifikuar pushimet e tyre në pjesën e parë apo edhe të dytë të muajit gusht mund të rrinë të qetë pasi moti u premton diell./OraNews





