Një burrë në Seattle, Washington, SHBA donte të shiste te dyqani i pengjeve, video-lojën e tij të vjetër por nuk e dinte se aty ishte fshehur edhe një disketë shumë e rrallë, me vlerë 13 mijë dollarë.

Ai donte të këmbente lojën e parë dhe historike Nintendo në një dyqan të specializuar për shit-blerje të video lojërave të vjetra, por një ndër lojërat e fundit propozuar nga 30-vjeçari, ishte një pjesë historike e NES (Nintendo World Championships 1990).

"Një ndër lojërat më të rralla e të kërkuara mes të apasionuarve pas koleksionizmit dhe lojërave të vjetra", -thotë Cody Spencer, një ndër pronarët e dyqanit të pengjeve.

Pasi vërtetuan autenticitetin e lojës dhe konfirmuan identitetin e shitësit, Spencer i propozoi burrit një shifër shumë herë më të lartë se çmimi me të cilin ishte blerë: 13 mijë dollarë për ta blerë menjëherë dhe sigurisht që pronari i lojës, nuk e la t'ikte një ofertë e tillë.

"Kishim mundësi t’ia blinim atë lojë për 20 dollarë ose edhe 1! Nuk e kishte as idenë më të vogël të vlerës së saj", komentoi Spencer në një intervistë për "Ars Technica".