Pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të PD-së, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka nisur punën për zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh.
Në qarkun e Durrësit, dorëzuan mandatin e deputetit Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu, Edi Paloka dhe Florion Mima.
Për zëvendësimin e tyre, KQZ ka kontaktuar emrat që pasojnë në listë: Agron Duka, Vullnet Topalli, Dejana Burgija dhe Helenida Sava.
DurrësLajm kontaktoi me drejtuesin politik të qarkut të Durrësit, Oerd Bylykbashin, i cili konfirmoi se të gjithë kandidatët kanë firmosur paraprakisht formularin ku deklarojnë se nuk do ta pranojnë mandatin e deputetit.
Pas deklaratës publike të liderit të PD-së Basha, se do t’i kërkonte grupit parlamentar djegien e mandatit të deputetit, Agron Duka, kreu i PAA-së qe ndër të parët që deklaroi se 3 kandidatët nga partia e tij, të përfshirë në listat e PD-së në qarqe të ndryshme nuk do ta pranonin mandatin.
Konfirmimi i mbrëmjes së sotme nga ana e zotit Bylykbashi për të 4 kandidatët e kontaktuar nga KQZ tregon se të paktën nga lista e Durrësit, PD nuk do të çojë në Kuvend asnjë deputet.
Deri më tani, vetëm deputeti Myslim Murrizi nuk e ka dorëzuar mandatin e deputetit, gjë që solli dhe përjashtimin e tij nga PD, ndërkohë që deputetja Rudina Hajdari ende nuk është shprehur qartë nëse do të vazhdojë ta mbajë mandatin, apo do ta dorëzojë atë duke iu bashkuar vendimit të grupit.
M.B.





