Myslim Murrizi deputeti demokrat i Lushnjes, tashmë i përjashtuar nga Partia Demokratike pas refuzimit të lënies së mandatit ishte i ftuar në emisionin “Arena” mbrëmjen e 27 shkurtit.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Dritan Hila nëse ka ndërmend të konkurojë dhe për një mandat tjetër, i pavarur, apo do pranojë një ofertë nga PS nëse nuk është rikthyer sërish në PD Murrizi tha me humor aspiron vendin e nënkryetarit në këtë forcë politike.

"Historiku i armiqve tek PD ka treguar që kur bëhesh dy muaj armik vjen ose në kryesi ose kryetar partie dhe unë po shpresoj që pasi të mbaroj 2 apo tre muajt e dënimit, maksimalja ishin armiqtë e 2017, që u bënë të gjithë më të votuar në kryesi unë do të aspiroja për vendin e Edmond Spahos ose Edi Palokës, meqë kam dalë më shumë tradhëtar sesa të tjerët. Kur Arben Imami u bë ministër i Mbrojtjes, unë kam qenë kandidat në atë kohë pse të mos bëhem dhe unë. Unë as kam marrë tank, as kam prerë në besë njeri as kam bërë akt turpi dhe as kam marrë bakshish apo të fus lekë në xhep."

Por a do ta pranonte Murrizi një ofertë nga PS-ja me Gramoz Ruçin?

"Myslim Murrizi nuk ka qenë anëtar i PS-së sic kanë qenë jo pak tek PD. Nuk kam qenë as spiun, prandaj për Gramoz Ruçin pyesni ata që kanë qenë me Gramoz Ruçin se ka bij sigurimsash, anëtarë të Partisë së Punës. Myslim  Murrizi u ngrit fort kundër qeverisë së Gramoz Ruçit e Hekuranit", tha deputeti.