Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për projektin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se bëhet fjalë për një dëm ekonomik prej rreth 3.8 deri në 4 miliardë euro.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se projekti synon transformimin e portit ekzistues në një zonë turistike të tipit “Dubai i 1001 netëve”, çka përbën grabitje të pasurisë publike”.

Ai paralajmëroi gjithashtu për ndikimin e ndërtimit të një porti të ri në Porto Romano, duke pretenduar se kostoja e tij mund të arrijë rreth 1 miliard euro.

“Ndërkohë, zemërimi dhe revolta e qytetarëve shqiptarë po zien gjithmonë e më shumë.
Unë dje isha në Durrës për një nga aferat më tronditëse, atë të portit të Durrësit.
Porti i Durrësit, që Edi Rama do ta shndërrojë në Dubain e 1001 netëve përbën një grabitje të pasurisë publike prej të paktën 3.8 gjer në 4 miliardë euro dhe një gjobë për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano prej 1 miliardë euro.

Ndërkohë duhet thënë se Porto Romano me përmasat dhe projektin që ka është një port që zhvlerëson në mënyrë përfundimtare portet e Shqipërisë, u jep përparësi porteve të tjera të rajonit.
Ky port ka një të katërtën e kapacitetit aktual të portit të Durrësit, dhe një të tetën gjer në një të pesëdhjetën e porteve të rajonit.
Kështu që Shqipëria nga një vend me port strategjik për BE siç është porti i Durrësit, del në një vend pa porte të rëndësishme dhe kjo vetëm e vetëm që Edi Rama të bëhet supermiliarder. Ndaj dhe u ftoj të debatojmë për këto çështje dhe çfarë çështje e konsideroni të rëndësishme”,
tha ai.