Gazetari italian Andrea Giambruno ka marrë një tjetër lajm të keq, vetëm pak orë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi se i dha fund lidhjes me të pas 10 vitesh.

Gjiganti mediatik italian Mediaset e ka pezulluar Andrea Giambrunon nga drejtimi i emisionit “Diario del giorno” në Retequattro.

Një zëdhënës i kompanisë shpjegoi për Ansa se është duke i vlerësuar me kujdes faktet. Vendimi vjen pas skandalit që shpërtheu nga publikimi i videove në emisionin “Striscia la Notizia”.

Emisioni “Diario del giorno” duhej të transmetohej sot në orën 15:30 në Rete4, por u anulua.. Në vend të tij ishte Luigi Galluzzo, i cili nisi episodin duke njoftuar të rejat për krizën në Izrael dhe për alarmin e terrorizmit në Itali dhe Evropë.

Mëngjesin e sotëm kryeministrja italiane njoftoi ndarjen nga Giambruno, pas publikimit të videove “off-record” ku ai shfaqej duke ngacmuar femra të tjera, madje duke u propozuar edhe për t’u bërë partnere në “treshe”.