Presidenti i zgjedhur i Kolumbisë, Abelardo de la Esperanza, ka njoftuar se ceremonia e inaugurimit të tij, e planifikuar për 7 gusht, do të zhvillohet në një bazë ushtarake, duke sfiduar hapur presidentin në largim Gustavo Petro, i cili ka kundërshtuar një lëvizje të tillë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, lideri i së djathtës ekstreme deklaroi se dëshiron të bëjë betimin në një kamp ushtarak në jug të vendit, si një mënyrë për të nderuar ushtarët dhe forcat e armatosura.

“Do të betohem në një bazë ushtarake në jug të vendit, për t’u bërë homazh heronjve të atdheut dhe ushtarëve që mbrojnë demokracinë, lirinë dhe institucionet”, deklaroi ai.

Vendimi i presidentit të zgjedhur vjen vetëm një ditë pasi Gustavo Petro urdhëroi që asnjë bazë ushtarake të mos përdoret për ceremoninë e transferimit të pushtetit.

Sipas legjislacionit kolumbian, presidenti duhet të bëjë betimin para Kongresit në kryeqytetin Bogota. Megjithatë, Abelardo de la Esperanza u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit të ri, i cili pritet të mblidhet më 20 korrik, të miratojnë zhvillimin e ceremonisë në një bazë ushtarake.

Presidenti i zgjedhur, i cili është avokat dhe biznesmen milioner, është një emër i ri në politikë dhe ka premtuar një qasje të ashpër ndaj grupeve të armatosura, duke kërkuar intensifikimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake kundër tyre.

Megjithatë, ekspertët dhe juristët paralajmërojnë se organizimi i inaugurimit jashtë Bogotas do të ishte i vështirë nga pikëpamja logjistike, pasi të gjithë anëtarët e Kongresit do të duhet të udhëtonin drejt bazës ushtarake të përzgjedhur, vendndodhja e së cilës ende nuk është bërë publike.

Abelardo de la Esperanza ka deklaruar gjithashtu se synon një ceremoni inaugurimi “modeste”, pa shpenzime të tepërta, në përputhje me programin e tij për uljen e kostove të administratës shtetërore.

Ndërkohë, tensionet politike në Kolumbi mbeten të larta. Presidenti në largim Gustavo Petro vijon të pretendojë se disponon prova për parregullsi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat Abelardo de la Esperanza i fitoi me një diferencë të ngushtë. Petro u ka bërë gjithashtu thirrje mbështetësve të tij të dalin në protesta masive më 20 korrik, në Ditën Kombëtare të Kolumbisë.

Presidenti në largim ka theksuar gjithashtu se, në cilësinë e komandantit suprem të forcave të armatosura deri në përfundimin e mandatit, ka urdhëruar që asnjë oficer të mos i bëjë nderime ushtarake një qytetari, përveç kreut të shtetit në detyrë, duke shtuar edhe më tej përplasjen institucionale mes dy palëve.