Një durrsak ka humbur jetën aksidentalisht në gjykatën e Palermos pasditen e së hënës, ndërsa ishte duke punuar për instalimin e fibrës optike në zyra, raportojnë mediet italiane. Viktima, sipas të njëjtave burime është Edmond Fejzullai 58 vjeç nga Durrësi. Prej vitesh, Fejzullai banonte së bashku me familjen në qytezën Massafra.
Raportohet se ai ishte duke punuar në një zyrë të gjykatës, kur është rrëzuar nga shkallët dhe ka përfunduar mbi një tavolinë qelqi. Ka pësuar të çara në këmbë dhe si pasojë e hemorragjisë dyshohet se ka humbur jetën.
Ajo që e bën edhe më tragjike ngjarjen është fakti se 58-vjeçari nga Durrësi do të festonte ditëlindjen, por nuk mundi dot ta gëzonte këtë ditë, duke lënë në pikëllim të madh familjarët dhe miqtë.
Sipas hetimeve të para, kompania për të cilën punonte shqiptari, ishte autorizuar nga Ministria e Drejtësisë për punimet në gjykatë.
Po verifikohet edhe nëse ambulanca i ka dhënë punëtorit ndihmë në kohën e duhur, si dhe për rregullat e sigurisë në vendin e aksidentit.





