Data e sotme (2 dhjetor) shënon ditën e fundit të masave kufizuese të pjesshme që u ndërmorën nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, tri javë më parë.
Masat hynë në fuqi më datë 11 nëntor, ndërsa Komiteti njoftoi se do të zgjasin deri në tre javë dhe se do të rishikoheshin çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve.
“Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë më 11 nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve”, njoftonte MSH.
Pritet që Komiteti Teknik i Ekspertëve të japin një vendim të ri lidhur me masat kufizuese nëse do të vijojnë po këto apo do të jenë të reja.
MASAT AKTUALE DERI MË SOT:
-Ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
– Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania;
-Personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse;
-Mbyllen nga ora 22:00 deri në orën 06:00, baret, restorantet, fast food-et dhe lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.
-Përjashtohet nga rregulli shërbimi në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara.
Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ndalohen grumbullimet e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura e të mbyllura.
Ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.
Ndalohen konfrencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.





