Kryekomisioneri, Ilirian Celibashi, në një komunikim me gazetarët u pyet nëse Partia Demokratike do të marrë fonde për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Edhe pse PD nuk mori pjesë në zgjedhjet e 2019, Celibashi sqaron se është neni 180 që e përcakton se fondi për PD do të bazohet sipas zgjedhjeve pararendëse vendore të vitit 2015.
Ndër të tjera Celibashi sqaroi se fondi që do të jetë në dispozicion të partive politike nuk do jetë më i vogël se 130 milionë, ndërsa shtoi se kjo është një çështje që i takon Kuvendit.
“Është një vendim që do të duhet ta marr dhe s’po e bëj publik. Ligji ka përcaktuar në nenin 180 që merr fonde partia që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse në 2019. E dimë që PD s’mori pjesë por neni 180 ka përcaktuar në referim do merren sipas rastit të 2015 dhe 2017. Ka një përjashtim që për ato që s’kanë marrë pjesë në këto zgjedhje do merret në konsideratë procesi i 2019. Ne nuk kërkojmë fond se është çështje që i takon Kuvendit dhe vendos se sa para do të vendosim në dispozicion të partive politike për fushatën e tyre zgjedhore. Ky fond nuk do jetë më i vogël se 130 milionë. Megjithatë është çështje e Kuvendit dhe nuk kemi obligim. Ne kemi bërë një lloj kujtese që ka fonde që vihen në dispozicion të cilat janë apo alokojmë me qëllim që të marrim masat”, tha Celibashi.