Udhëheqësi i rebelëve sirianë, Mohammad al-Jolani deklaroi se ai do të shpërbënte forcat e sigurisë të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Asad.

Jolani, emri i vërtetë i të cilit është Ahmad Al Sharaa, do të “shpërndante forcat e sigurisë të regjimit të mëparshëm dhe do të mbyllte burgjet famëkeqe”, tha ai në një deklaratë për Reuters.

Ndërkohë, udhëheqësi i qeverisë siriane i lidhur me rebelët, Mohammad Al-Bashir, i cili është emëruar si kryeministër i vendit, përsëriti për mediat italiane se qeveria e përkohshme do të qëndrojë vetëm deri në mars.

Në një intervistë për gazetën Corriere della Sera të botuar të mërkurën, Bashir tha se “ne do të qëndrojmë vetëm deri në mars 2025”. Ai tha se prioritetet ishin rivendosja e sigurisë dhe autoritetit shtetëror, sjellja në shtëpi e miliona refugjatëve sirianë dhe ofrimi i shërbimeve thelbësore.

Kur u pyet nëse kushtetuta e re e Sirisë do të ishte islamike, ai tha se “këto detaje” do të sqaroheshin në procesin e krijimit të kushtetutës.