Zëvëndëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar ditën e sotme pallatet që po rindërtohen në qytetin bregdetar.
Gjatë inspektimit, Balluku foli për projektin “Durrës Waterfront”, ku tha se kanë përfunduar të gjitha negociatat dhe pritet votimi në Kuvend.
“Në Durrës po ndodhin zhvillime shumë të mëdha. Projekti i Waterfront-it të Durrësit ka përfunduar totalisht, është mbyllur negociata. Ne jemi gati që shumë shpejt të kalojmë në parlament për t`ja bërë të ditur të gjithë ligjvënësve këtë projekt dhe për të kërkuar votën e tyre“, u shpreh Balluku.
Ndërkohë, Zv.kryeministrja u ndal dhe te projekt i portit të ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano, që sipas saj do të ketë edhe një zonë ekonomike prej 60 hektarësh në Spitallë, ku krahas industrive të tjera në këtë hapësirë do të ndërtohet dhe ajo e mullinjve të erës që do të shërbejë për prodhimin e energjisë elektrike.
“Me një ecuri të kënaqshme po avancojmë dhe me portin e ri të Durrësit që do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos dhe nuk do të jetë thjesht një port, ashtu siç jemi mësuar ne t`i shikojmë portet, por do të jetë një port i integruar që do të ketë në zonën e Spitallës edhe një zonë ekonomike, prej 60 hektarësh, ku parashikohet të ngrihen disa industri të rëndësishme, siç është ndërtimi i mullinjëve të erës, për prodhimin e energjisë”, tha ndër të tjera Balluku.