TIRANE – Federata Shqiptare e Futbollit pritet të zyrtarizojë në Asamblenë e saj të radhës tri Kampionatet e Luftës. Tirana dhe Vllaznia do të jenë dy skuadrat që do të përfitojnë nga ky vendim që së shpejti do të marrë formë të prerë. Është ky fakti më i ri që zbulohet në institucionin e futbollit. Kështu pas një viti hetim, komisioni i ngritur për këtë çështje, duket se do të propozojë që tre Kampionatet e Luftës t’u njihen zyrtarisht klubeve fituese.
Në draftin që po hartohet nga anëtarët e komisionit të ngritur nga asambleja, renditen gjithë faktet që shtyjnë që këto kampionate të mbetura në hije, t’u jepen zyrtarisht skuadrave fituese. Sipas asaj që është zbuluar, tashmë ka fakte të pakundërshtueshme për dy kampionate dhe për të tretin ekzistojnë fakte që janë pothuajse të konfirmuara që të çojnë në njohjen e titujve. Kështu një kampionat i Vllaznisë dhe një i Tiranës mund të konsiderohen të mbyllur.
Njëri është Mbarëkombëtar edhe me shumë ekipe në përbërje. Bëhet fjalë kampionati i dytë i fituar nga Tirana që me të gjitha gjasat do tu shtohet bardhebluve. Fakte janë marrë shtypi i kohës, nga studiuesit e futbollit shqiptar vendës dhe të huaj si dhe dokumentacioni i Arkivës së Shtetit. "Të paktën dy nga tre kampionatet janë shumë të rregullt, por edhe i treti është në kufijtë e të qenit të rregullt", është shprehur një prej anëtarëve që po mbledh faktet për këtë çështje. Në lojë për tu njohur janë tre sezonet e ‘39 ‘40 e ‘42. Dy nga këta i ka fituar Tirana dhe një Vllaznia.
Bardheblutë me 26 kampionate, shkodranët me 10
Me dy kampionate në tavolinë numri i kampionateve të para luftës të shtuar shkon në nëntë. Shtatë kampionate Tiranës i janë shtuar në fillim të viteve 90, sepse nuk njiheshin nga federata e futbollit. Dhjetë kampionate shkon Vllaznia që së bashku me Skënderbeun përfiton një kampionat të mohuar padrejtësisht. Kujtojmë që për Tiranën bëhet fjalë për dy kampionatet atë të 1939-ës dhe 1942- it. Ndërkohë që për Vllazninë bëhet fjalë për kampionatin e parë të marrë pas më shumë se 72 vitesh. Komisioni për njohjen e titujve është ngritur në asamblenë e shkurtit.
Ai ka në përbërje Bujar Kasmin, Artan Hajdarin, Miço Papadhopullin, Ismet Bellovën dhe Fatmir Eficën. Ky komision po shqyrton dokumentacionin përkatës që do i ofrohet dhe do paraqesë raportin e tij në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së FSHF-së. Historia e tre “Kampionateve të Luftës” Historia e Kampionateve të panjohura në Shqipëri është e gjatë, sepse regjimi komunist nuk njohur asnjë titull sporti para lufte.
Gjithçka u zerua edhe pse që në vitet 30-të ekzistonte sporti dhe futbolli i organizuar në Shqipëri. Një pjesë e drejtësisë është vënë në vend në vitet e parë të demokracisë ku skuadrave si Tirana dhe Skënderbeu iu kthyen titujt. Ndërkaq përgjatë viteve të Luftës më saktë vitet 1939, 1940 dhe 1942 në Shqipëri do të luheshin 3 kampionate futbolli. Ai i vitit 1942 ishte Kampionat Mbarëkombëtar ku morën pjese dhe ekipe nga Kosova. Ndërsa dy të tjerët me skuadra shqiptare.
Shumë gazetarë të njohur shqiptarë, por edhe kërkues të huaj në fushën e statistikave sportive kanë pretenduar që këto tri kampionate janë të rregullt, por vetëm pasi të zbulohen faktet do të merret vendimi përfundimtar nga FSHF-ja. Kjo e fundit një vit më parë i hapi derën njohjes së Kampionateve të Luftës. Kampionati i vitit 1939 u luajt me pjesëmarrjen e 8 ekipeve të ndara në 2 grupe: Grupi A: Tirana, Rinia Korçare, Bashkimi Elbasanas, Dragoi Pogradec dhe Grupi B: Vllaznia, Besa, Teuta dhe Ismail Qemali. Ky kampionat përfundoi me 30 shtator, 1939 me finalen Tirana- Vllaznia që përfundoi 6-5 për KF Tirana që u shpall për të 7-ën herë Kampion Kombëtar.
Kampionati i vitit 1940 nisi më 3 mars, 1940 dhe u zhvillua sipas kriterit gjeografik, ekipet e veriut dhe ekipet e jugut të Shqipërisë. Në grupin e Veriut bënin pjese: Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Durrësi ndërsa ne Grupin e jugut bënin pjese: Gjirokastra, Vlora, Berati, Korça. Finalja e këtij kampionati u luajt ne 19 maj, 1940 midis Vllaznisë dhe Korçës, ndeshje e cila përfundoi 2-1 për Vllazninë qe u shpall për të parën herë Kampion Kombëtar.
Kampionati i viti 1942 përkon me një pjesëmarrje më masive ku u përfshinë dhe 3 ekipe kosovare. Në zonën e Veriut bënin pjesë: Prizreni, Shkodra, Peja, Prishtina. Në zonën e Mesme bënin pjesë: Tirana, Durrësi dhe Elbasani,ndërsa në zonën e Jugut bënin pjesë: Berati, Korça dhe Gjirokastra. Kampionati i vitit 1942 përfundoi më 29 qershor, me dy ndeshje finale mes Tiranës e Vllaznisë që përfunduan me rezultatet 1-1 dhe 2-0 për Tiranën, që e shpalli këtë ekip Kampion Kombëtar për herë të 8-të.
Marrë nga gazeta SHEKULLI