Pas muajsh përzgjedhjeje, hipotezash, thashethemesh dhe emrash të mundshëm, më në fund Milani ka gjetur drejtorin sportiv dhe ai do jetë Igli Tare. Përshpejtimi i procedurave u ndoq nga kreu i RedBird, Gerry Cardinale, kjo pas humbjes 3-1 kundër Romës, që solli edhe përjashtimin e ‘Djallit’ nga Evropa. Pas takimit me drejtorin ekzekutiv Giorgio Furlani,  u arrit një marrëveshje verbale që do t’i lejojë ish-sulmuesit të Lazios të hyjë në strukturën drejtuese të kuqezinjve.

Tare (zgjedhja e parë e Ibrës) do të nënshkruajë një kontratë tre vjeçare (ndoshta me një strukturë 2+1 me një mundësi në favor të klubit) me vlerë 800 mijë euro neto në sezon. Vlen të përmendet, se Tare te Milan do të paguhet më pak se Sylvinho te Kombëtarja shqiptare. Kujtojmë se ky i fundit paguhet 1 milionë euro, duke treguar kështu punën e mirë dhe përmirësimin ndjeshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit.