DURRËS, 20 tetor 2014 – Ai në çdo festival apo klip të ri i këndon vetëm asaj, dashurisë së vërtetë. Pas baladës “Të kam dashur tepër”, dy vëllezërit po përgatiten për publikimin e klipit “Ti s’e meriton”, po ashtu dedikim për të njëjtën femër. Fjala është për Anjezën, ish- bashkëshorten e Endrit, nga martesa me të cilin ata kanë një djalë, Vasileonin. Por edhe pse në këto mbi tri vite divorc ata janë përballur me kontradikta dhe mëri me njëri-tjetrin, i pyetur nga gazeta “Panorama” se si po shkon jeta e tij sentimentale, Endri përgjigjet: “Mos prisni emra të padëgjuar nga goja ime për sa u përket çështjeve të zemrës, dashuria është dhe mbetet Anjeza ime. Të gjithë bëjnë gabime, ne artistët pak më shumë. Duke qenë se ndikon shumë lodhja nga puna dhe jeta e natës, nganjëherë dalim nga vetja.
Kështu, si pasojë e kësaj lloj jete, shkatërrova familjen time, gjënë më të shtrenjtë që kam. Për mua, Anjeza është mamaja dhe bashkëshortja më e mirë që mund të ekzistojë. Do përpiqem deri në frymën e fundit që të rikthej gjithçka edhe më të bukur se ç’ishte”. Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri vite nga divorci, Endri sërish flet me të njëjtin pasion: “Në çdo moment, në çdo rrugë, në çdo mendim më shfaqet ajo. Në çdo cigare që djeg, në çdo gotë që pi prapë është ajo. Dhe në buzët e mia lexon se jeta ime është vetëm ajo”, shprehet ai me pothuaj të njëjtat fjalë të këngëve të tij. “Do pyesni ju a ka vërtet meshkuj që dashurojnë kështu? Po, ka, por vetëm njerëzit me shpirt të madh dashurojnë kështu. Dhe për t’jua përshkruar më mirë këtë përjetim timin për ish-gruan po ju citoj Oscar Wilde, i cili ka thënë: ‘Të gjithë thonë që dashuria të bën keq, por nuk është e vërtetë. Vetmia të bën keq. Refuzimi të bën keq. Të humbësh dikë të bën keq. Të gjithë i ngatërrojnë këto me dashurinë, por në të vërtetë dashuria është e vetmja gjë në këtë botë që na zhduk gjithë dhimbjen dhe na bën të ndihemi të mrekullueshëm’”. Kështu, Endri e nis me një “më fal” këtë tentativë për t’u rikthyer tek ish-bashkëshortja e tij, e cila tashmë jeton në Tiranë, pasi ka mbaruar studimet për Pikturë në Itali. Nga martesa e tyre ata kanë një djalë 5-vjeçar, i cili është nën kujdestarinë e saj. Kjo lidhje është nga rastet e rralla kur një artist i rikthehet historisë së tij pas divorcit. Pas ndarjes, Endri shkroi baladën “Do vazhdoj të flas”, dedikuar ish-bashkëshortes, këngë për të cilën ai pohoi se ky ishte dedikim posaçërisht për femrën e zemrës.





