Trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti lindor i Siverskut, pas luftimeve të ashpra dhe përparimit të qëndrueshëm, megjithëse të ngadaltë, të forcave ruse.
Ushtria ukrainase tha se tërheqja u bë “për të ruajtur jetën e ushtarëve dhe aftësinë luftarake të njësive”, duke theksuar se Rusia kishte një “avantazh të konsiderueshëm në fuqi punëtore”.
Sipas ‘BBC’ rënia e Siverskut e afron Rusinë me qytetet strategjike Sloviansk dhe Kramatorsk, pjesë e ashtuquajturit “rrip i fortesës”, ende nën kontrollin ukrainas në rajonin industrial të Donetskut. Para luftës, Siversku kishte rreth 11 mijë banorë dhe tashmë është shkatërruar pothuajse plotësisht pas muajsh luftimesh.
Dy javë më parë, Moska kishte pretenduar se e kishte marrë qytetin, por Kievi e kishte mohuar. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 75% të Donetskut dhe 99% të Luhanskut, rajone që formojnë Donbasin. Në tërësi, Moska mban rreth 20% të territorit të Ukrainës.
Ndërkohë, sulmet ajrore ruse u intensifikuan. Zyrtarët ukrainas raportuan se tre persona, përfshirë një fëmijë, u vranë gjatë sulmeve masive me dronë dhe raketa gjatë natës. Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia lëshoi 635 dronë dhe 38 raketa, nga të cilat 621 u rrëzuan.
Një fëmijë humbi jetën në rajonin qendror të Zhytomyr, ndërsa një grua 76-vjeçare u vra dhe tre persona u plagosën në rajonin e Kievit. Në Khmelnitsky, një 72-vjeçar u vra nga një tjetër sulm. Avionë luftarakë polakë u ngritën në ajër si masë mbrojtëse, për shkak të rrezikut nga raketat dhe dronët që synonin Ukrainën perëndimore.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte goditur objektiva të kompleksit ushtarako-industrial dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Nga ana tjetër, autoritetet ruse raportuan se një dron ukrainas goditi një uzinë petrokimike në Stavropol, duke shkaktuar zjarr, pa viktima.
Situata energjetike në Ukrainë mbetet kritike. Operatorët paralajmëruan për ndërprerje emergjente në të gjitha rajonet, ndërsa ministri në detyrë i energjisë tha se ky ishte sulmi i nëntë i madh ndaj sistemit energjetik këtë vit. Disa zona mund të mbeten pa energji për ditë të tëra.
Në planin diplomatik, negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të vazhduan pa përparim të dukshëm. Presidenti Volodymyr Zelensky ka refuzuar çdo lëshim territorial, duke kërkuar garanci të forta sigurie, ndërsa Rusia ka hedhur poshtë një propozim për armëpushim gjatë Krishtlindjeve.





