Artisti me origjinë shqiptare, Gashi, ka një stil të veçantë jo vetëm në muzikë, por edhe në veshje. Duket se pikërisht kjo gjë e ka futur këngëtarin në “telashe” me një kompani, që do e ndihmonte financiarisht për një nga videoklipet e tij.
Gashi ka rrëfyer përmes një postimi në Instagram se dëshironte që në video të shfaqej i veshur me fustan, por kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak kompanisë në fjalë dhe hoqi dorë nga marrëveshja në moment të fundit.
“Më lejoni t’ju tregoj një histori idiote për këtë video. Supozohej që kjo video të sponsorizohej nga një kompani që do të më ndihmonte mua për ta përfunduar atë, por për shkak se unë kisha veshur një fustan ata hoqën dorë nga marrëveshja në moment të fundit, sepse mendonin se një burrë që vesh fustan shkon kundër rregullave të tyre si kompani. Imagjino kjo gjë të ndodhë në 2020-tën. Mendoj se çdo artist duhet të bëj çfarë të dojë për aq kohë sa nuk lëndon askënd”, shkruan Gashi.





