Një ditë pas debatit të ashpër në Kuvend me deputetin e pavarur, Agron Shehaj, vjen reagimi nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ky i fundit teksa po debatonin lidhur me amnistinë penale, nga karrigia e ministrit i bëri me shenjë deputetit se ‘do të ta pres veshin’.

Sakaq, ministri u pyet nga gazetarët, ndërsa ai tha se gjithçka i takonte një debati politik dhe se sot ishte një ditë e re.

“Dje ishte dje dhe gjithçka i takon atij debati politik të zhvilluar brenda asaj salle. Sot është ditë e re, në prag të festës së Pashkës. Kam dëgjuar sot nga stafi im që përgjatë shumë emisioneve ka vazhduar të trajtohet kjo gjë edhe në media. Personalisht më bërë pak nostalgjik se më ktheu si sikur me ato ankesat që kishim kur ishim në klasë të parë dhe shkonim për ti zgjidhur, mosha bën të veten, koha bën të veten, s’kthehemi dot më pas, debati është tërësisht politik brenda sallës së Kuvendit, dua ta mbyll me një urim për festat”, pohoi ministri i Drejtësisë.