Specialistët e Interpolit kryen ekstradimin nga Londra drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar Alban Beshiri, 36 vjeç, lindur në Vorë, Tiranë, i dënuar për kanosje të një gjyqtareje.
Sipas informacioneve zyrtare, Alban Beshiri është shpallur në kërkim pasi me vendimin penal nr. 3727, datë 30.10.2015, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg për veprën penale “Kanosje e gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Nga data 18.07.2014 e në vijim shtetasi Alban Beshiri ka kërcënuar gjyqtaren Oltiana Çifligu e cila po shqyrtonte çështjen gjyqësore ndaj tij, ku ai ishte i akuzuar për veprën penale “Dhunë në familje”, duke e telefonuar dhe duke i dërguar mesazhe telefonike me përmbajtje kërcënuese.
Mësohet se ai e kërcënonte gjyqtaren se do të kthehej në Shqipëri dhe do i bënte diçka që nuk kishte spital që ta merrte në dorëzim.
“…Do të kapi e zeza ty dhe atë gjyqtaren qorre që ma vlerësoi vajzën 5 mijë euro. Me ty e kam më kollaj pasi ta di shtëpinë dhe të njoh të dashurin, dhe do të të bëj për karrocë…”, thuhet në një nga mesazhet kërcënuese të tij.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Londër.





