Kjo foto e realizuar në vitin 1993 në Spitalin Psikiatrik të Tepelenës, është një nga fotot që kanë bërë bujë në Shqipërinë e asaj kohe. Ajo është realizuar nga fotoreporteri Armand Babani, i cili i ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ku ka treguar edhe se si arriti ta fotografonte.

Ai thotë se njëra prej infermiereve i tha diçka të paimagjinueshme për të, që të bënte një foto të bukur.

Armand Babani: Unë për herë të parë e kam parë si histori në Gazetën Shqiptare që sapo ishte hapur në atë kohë. U nisëm bashkë me gazetarin që punonim bashkë ateherë. Ky ishte Spitali Psikiatrik i Tepelenës.

Blendi Fevziu: Një nga vendet në fakt që të kujton kamp përqëndrimi dhe jo një spital. Nuk ka asnjë lidhje me spitalin. Çfarë viti është?

Armand Babani: Dhjetor ’93.

Blendi Fevziu: Ata hanë ushqim aty?

Armand Babani: Po. Ata kishin një lloj sëmundje siç më shpjegoi një nga infermieret. Është gjynah t’i them infermiere, mund ta shpjegoj çik më vonë arsyen. Ata kishin një lloj sëmundje që të grisnin rrobat e tyre. Në atë moment që ne jemi aty, jashtë mund të ketë qenë -7 apo -8. Ishte goxha ftohtë.

Blendi Fevziu: Qarkulloi dhe në shtypin ndërkombëtar kjo?

Armand Babani: Po, po normal.

Blendi Fevziu: Menjëherë pas asaj qeveria e mbylli spitalin, në mos gaboj.

Armand Babani: Jo. Unë ndihem shumë mirë sepse mbasi u publikuan shumë foto, shumë organizata ndërkombëtare, sidomos holandeze, erdhën dhe e bënë një vend njerëzish. Por jo vetëm se ndërtuan tulla e penxhere, por sollën personel që i trajtonin si njerëz ata njerëz. Sepse siç të thashë pak përpara, një nga infermieret më thotë: Do të bësh fotografi të bukur? Dhe ti normalisht i thua po. Dhe më thotë diçka që mua me të vërtetë më ka ngelur dhe do ta kem deri ditën që do vdes. Thotë, do ta ve njërin nga këta të hajë fekale? Në atë moment kam qenë komplet i ngrirë.

Blendi Fevziu: Ta tha infermierja?

Armand Babani: Po.