Gazment Bardhi ka folur në një komunikim për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit të deputetëve të PD, mbi situatën e krijuar në Kuvend dhe autorizimin që SPAK i kërkon Kuvendit për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj Sali Berishës.
Gjatë fjalës së tij, ai thotë se opozita do i përgjigjet përshkallëzimit që ka ndërmarrë mazhoranca.
Ai gjithashtu i ka bërë thirrje SPAK që t’i shkojë deri në fund hetimeve për inceneratorin e Tiranës.
“Shpreh vendosmërinë e deputetëve jo vetëm për të qëndruar në aksionin që kemi nisur, por do i përgjigjemi përshkallëzimit që ka ndërmarrë mazhoranca. E papranueshme që një shumicë të marrë masa që i heq mandatin përfaqësuesve të opozitës. Është provokim i rëndë i asaj që keni parë në këto dy muaj në Kuvend. I bëj thirrje SPAK që t’i shkojë deri në fund hetimeve për inceneratorin e Tiranës.
Ne jemi njohur përmes mediave me kërkesën e SPAK. Lajm i mirë që e di adresën e Kuvendit. Ne votojmë pro çdo kërkese të SPAK. Por Rama të përmbushë tre kërkesat tona, dhe kthehemi në normalitet dhe marrim pjesë në votim. Në të kundër asnjë çështje dytësore nuk devijon opozitën nga aksioni”, tha ai.