Sali Berisha ka deklaruar sot se çdo punonjës i administratës që përfshihet në fushatë, “do të marrë ndëshkimin që meriton”.
Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se opozita do t’i regjistrojë “një e nga një dhe secili do të jetë përgjegjës për krimin që ka bërë”, duke shtuar se se veprimtaria e administratës një proces zgjedhor është kriminale.
“Së pari dua të theksoj se PD, si parti e shtetit ligjor vlerëson punën, përkushtimin, mundin, djersën e çdo punonjësi që i qëndron besnik ligjit dhe punon në përputhje me ligjin. Në mënyrë absolute i presin ndëshkime shumë të rënda, të gjithë ata punonjës administrate që bëjnë terroristin elektoral. Që shkelin ligjin e shtetit, për hir të narkoshtetit. Ne po bëjmë dhe do ti regjistrojmë një e nga një dhe secili do të jetë përgjegjës për krimin që ka bërë.
Ligji ndalon në mënyrë kategorike angazhimin e punonjësve të administratës në procesin elektoral. Zëri i Amerikës në studimin e tij ka gjetur se mbi 20% e shqiptarëve kanë përjetuar terror dhe frikësim nga punonjës të administratës për votën e tyre. Ky do të jetë një motiv jashtëzakonisht i fuqishëm për të shpartalluar shtetin elektoral dhe për të rivendosur shtetin ligjor.
Është akt i shëmtuar. Ne po punojmë me baza vullnetarizmi me qytetarët, me listat e votimit, me aktivistët tanë, për të identifikuar, për të lehtësuar, mundësuar votimin e një numri sa më të madh të shqiptarëve jashtë vendit. Por veprimtaria e administratës është kriminale, e dënueshme, është armiqësore për një proces zgjedhor dhe do të ndëshkohet si e tillë.
Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve që të regjistrojnë, natyrisht duke faktuar se nuk bëjnë gjah shtrigash, por duke faktuar ndërhyrjen e çdo punonjësi të administratës”, tha ai.