Greqia ka lëshuar një sërë paralajmërimesh të pazakonta ndaj Turqisë, duke kërcënuar se do t’i shtypë trupat e saj nëse guxojnë të zbarkojnë në ndonjë prej ishujve të diskutuar në detin Egje. Megjithatë, edhe Turqia nuk ngelet prapa me tonet e ashpra.
Duke reaguar për fluturimin në hapësirën ajrore greke të dy avionëve turq, Ministri i Mbrojtjes, Panos Kamennos paralajmëroi se Ankaraja do të paguante një çmim.
“Nëse bëjnë qoftë lëvizjen më të vogël, do t’i shtypim”, kërcënoi Kammenos, ndërsa shtoi: “Greqia do paqe dhe harmoni, por nuk do të lëshojë asnjë centimetër të tokës së saj”.
Ministri grek e bëri deklaratën gjatë një vizite që zhvilloi në një bazë ushtarake në ishullin e vogël të Egjeut, Leros. Retorika e Kammenos u mbështet edhe nga Admirali Evangelos Apostolakis, kreu i Shtabit të Përgjithshëm.