Itali, 4 maj 2014 – Policia italiane ka arrestuar mengjesin e kësaj të diele, Daniele de Santis, 48 vjeç, si përgjegjës për plagosjen me armë zjarri të tre ultrasve të Napolit, para finales së Kupës së Italisë. Nga rindërtimi i ngjarjes nga ana e hetuesve mësohet se De Santis fillimisht ka provokuar një grup tifozësh të Napolit, duke hedhur fillimisht në drejtim të tyre mjete ndezëse. Menjëherë pas reagimit të dhunshëm të ultrasve napolitanë, De Santis ka bërtitur: “Do t’ju vras të gjithëve” dhe menjëherë më pas ka nxjerrë pistoletën e kalibrit 7.65, duke qëlluar drejt tyre.
Si rezultat e hapjes së zjarrit u plagosën tre persona, një prej tyre në gjendje të rëndë, pasi plumbi i ka prekur shtyllën kurrizore. Autori i krimit ka precedentë penalë dhe sipas burimeve policorë ai është kryetari i ultrasve të Romës që bllokuan derbin e vitit 2004. Alfonso Espozito, është plagosur në dorën e djathtë dhe është dërguar në spital, ndërsa tjetri, Çiro Espozito (30-vjeçar) është goditur me plumb në gjoks dhe gjendja e tij është në rrezik serioz për jetën. Burimet spitalore theksojnë se plumbi i ka depërtuar në shtyllën kurrizore, ndaj kurimi i tij duket mjaft i vështirë.
Ndërkohë, në një tjetër zonë të qytetit, një tjetër napolitan, Xhenaro Fioreti (31- vjeçar) është plagosur me armë zjarri në krahë dhe në puls dhe ashtu si dy të tjerët është shtruar me urgjencë në spital. Ndërkaq, edhe 7 të tjerë të plagosur janë mjekuar në urgjencat e ndryshme të qytetit, viktima të dhunës së ushtruar nga policia, e cila e ka parë veten në rrezik të madh, aq sa të paktën njëri prej këtyre efektivëve është shtruar me urgjencë në spital, ndonëse nuk rrezikon jetën.
Por, sikur të mos mjaftonte dhuna jashtë stadiumit, një tjetër i plagosur, një zjarrfikës që ushtronte profesionin e tij, është plagosur brenda stadiumit. Ultrasit e Napolit kërkuan fillimisht anulimin e ndeshjes dhe donin të flisnin për Hamshikun. Por, teksa mesfushori slloven po shoqërohej drejt tribunës së ultrasve, disa dhjetëra bomba artizanale dhe fishekzjarrë të kalibrit të rëndë janë hedhur në drejtim të këtyre efektivëve, duke plagosur njërin prej tyre, që është shoqëruar me urgjencë në spitalin më të afërt.
Mbrëmjen e së shtunës është arrestuar gjithashtu një 33-vjeçar nga Napoli me akuzën e rezistencës dhunës dhe prishjes së qetësisë publike. Ai së bashku me dy ultras të tjerë napolitanë, që posedonin mjete ndezëse, nuk do të kenë mundësi të ndjekin ndeshjet e futbollit në stadium për 5 vitet e ardhshme. Nga përplasjet e dhunshme në prag të kësaj ndeshjeje janë plagosur lehtë edhe 5 punonjës të policisë si dhe dy anëtarë të forcave të sigurisë së stadiumit gjatë tentativës së tyre për të mos lejuar përplasjen mes dy tifozerive në “Olimpiko”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





