Pesë të rinj u shpallën fajtorë dje nga Gjykata për Krimet e Rënda për “gjobëvënie” ndaj djalit minoren të një ish-deputeti, shkruan “Panorama”.
Ata dyshohet se i kanë “zhvatur” një total prej 26 mijë eurosh të birit të ish-ligjvënësit Ibrahim Bruka, duke e kërcënuar me publikimin e një fotoje ku i mituri tymoste një cigare kanabis. “Gjobat” janë vjelë në shuma që varionin nga 2500 deri në 5 mijë euro gjatë 12 episodeve të ndryshme, të regjistruara në harkun kohor janar-prill 2016. Referuar vendimit të shpallur nga një pesëshe e kryesuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj, të pandehurit Rogers Ademaj, Fatmir Gjeta, Ilir Shehu dhe Luan Lama u fajësuan për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, ndërsa i pandehuri Shkëlqim Spahiu për “moskallëzim krimi”. Procesi gjyqësor ndaj tyre u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, si rezultat i të cilit të pandehurit përfituan edhe uljen e një të tretës së masës së dënimit.
GJOBAT
Referuar dosjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda, procedimi penal ndaj pesë të akuzuarve të kësaj dosjeje nisi në prill 2016, pas një kallëzimi të E. Brukës, djalit 17-vjeçar të ish-deputetit, Ibrahim Bruka. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ai ka rrëfyer se një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, që prej muajit janar 2006, i kanë marrë përmes dhunës psikologjike sasi të ndryshme eurosh.
Në janar E. Bruka është njohur me Rogers Ademajn, i cili ka shkuar në shtëpinë e E. për një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale, duke qenë se i ati i tij, Ibrahimi, ishte kirurg. Të nesërmen, rreth darkës, në adresën që i dëmtuari ka në rrjetin social “Facebook” i ka ardhur një mesazh nga Ilir Shehu, që përdorte profilin me emër “Liri Shehu” dhe i kërkoheshin urgjentisht 2500 euro.
Në të njëjtin mesazh, atij i bëhej me dije se nëse nuk u jepte shumën e kërkuar, do t’i tregonin babait të tij “ca gjëra”. Sipas tyre, këto “gjëra” ishin disa foto ku pretendonin se 17-vjeçari pinte drogë bashkë me disa persona të tjerë.
Më tej, të pandehurit dyshohet se e kanë kontaktuar drejtpërdrejt të dëmtuarin. Në mesin e muajit janar e kanë takuar te shkolla, duke i kërkuar me ngulm 2500 eurot. Kallëzuesi u ka thënë se nuk kishte ku t’i gjente paratë, por ata i janë përgjigjur t’i gjente ku të donte, pasi e kishte babanë doktor. I vënë nën presion, disa ditë më vonë 17-vjeçari, pa dijeninë e prindërve të tij, ka marrë 2500 euro në shtëpi.
Ai ua ka dorëzuar këtë shumë të pandehurve, tre personave që e prisnin te shkolla. Në vijim, në frekuenca kohe prej 2-3 ditësh, pas kërcënimeve se do t’i tregonin babait të tij për lekët dhe se ai kishte të dashur kushërirën e njërit prej tyre, të pandehurit dyshohet se i kanë marrë të dëmtuarit dy shuma nga 3 mijë euro dhe një shumë prej 5 mijë eurosh.
“Pas këtij rasti, Rogersi, Luani dhe Fatmiri i kanë marrë në të njëjtën mënyrë edhe katër herë nga 2500 euro në çdo rast, 10 mijë euro në total, gjithmonë me kërcënimin se do t’i tregonin të atit për eurot që u kishte dhënë”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Referuar kallëzimit, në fillim të marsit, i pandehuri Fatmir Gjeta i ka kërkuar atij 2 mijë euro për “të mbyllur muhabetin”.
Kallëzuesi i ka thënë se do të takoheshin në datën 20.04.2016. Një javë para kallëzimit, i ati i E. Brukës ka konstatuar mungesën e parave në shtëpi dhe ai i ka treguar për ngjarjen. Në datën 12.04.2016, te shkolla e kallëzuesit kanë shkuar Rogers Ademaj, Luan Lama dhe një person tjetër i panjohur, me një automjet “Fiat”. Rogersi i ka kërkuar të hipte në makinë, por E. nuk ka pranuar. Rogersi i ka kërkuar atij 2500 euro, pasi Fatmiri ua kishte futur dhe ata kishin përplasur një makinë.
Takimi është filmuar nga një shok i E., pasi këtë ia kishte kërkuar E., sapo i kishte parë dy personat. Kallëzuesi i ka thënë se do t’ua jepte më 20.04.2016. Në 14.04.2016, te shkolla i kanë shkuar Rogersi me Luanin dhe i kanë kërkuar 2500 euro urgjent, por Erindi u ka thënë se do t’ua jepte më 20.04.2016, në një kohë që veprimet e tyre po vëzhgoheshin nga policia.
PËRGJIMET
Në provat e paraqitura nga Prokuroria, në proces kanë qenë edhe një sërë përgjimesh të bisedave telefonike, si dhe SMS të shkëmbyera mes të pandehurve. Nga transkriptet e bisedave dhe SMS-ve, të administruara si provë nga Prokuroria, del në pah përpjekja e të rinjve për të vijuar dhunën psikologjike ndaj E. Brukës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 20.01.2016, personi nën hetim, Rogers, telefonon personin nën hetim Fatmir, ku ndër të tjera i thotë: “…a e lëm ashtu sikur e tham mbrëmë, se kam frikë se s’ka për t’ja dhën asnjonit mbrapa, se po ashtu ne nesër ja marin e ja japim, po na i jep”.
Fatmiri e pyet “si e kemi lënë” dhe Rogersi i thotë: “me ja marrë ne e më i thën. Me i thën t’i rregullova punët me Fatmirin, gjoja për incizimin e kështu, me t’i dhënë ty, se qashtu kam frikë se s’do na i japë”. Pasi diskutojnë në vazhdim se kush do t’i shkojë të nesërmen, Fatmiri thotë mes të tjerash “nesër nuk ka ku të shkoj, se s’kam me e lën as tek shkolla po s’më dha lekët”.
Më pas ata diskutojnë për dhënien e diskut dhe Rogersi bën plan që t’i thotë E. Brukës që ia kanë rregulluar punët. Të nesërmen Fatmiri nis ta kërcënojë E. përmes telefonit, pasi ai nuk i kishte dhënë paratë që i kërkonte, duke i shkruajtur: “Do ti tregoj Braqes gjitha gjojat tuaja, se i kam në disk. Nesër po nuk mi solle ato do ik t’i tregoj Braqes për gjitha gjojat. Ti humb, se unë nuk hum agjo, po nesër po nuk mi solle, do të vij me gjithë Braqen tek shkolla. Ok?”.
Në orën 14:15 ai i shkruan sërish: “Se ene dje i kam inqizu të gjitha gjonat që fole ti se u ke dhan lek njerzve”. Në orën 15:00 i shkruan sërish: “Se jam sjell urt me ty deri tani, po nesër do më shikosh se kush jam”.
/Panorama/





