Komisioni Hetimor u mblodh sërish këtë të hënë ku kësaj here mori në shqyrtim materialet e dërguara nga AMA në lidhje me pretendimet për shkeljet e Presidentit Ilir Meta.
Kronikat televizive nisin me përplasjen e Metës me punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës në selinë e FRD-së. Më pas, vijuan me deklaratat e Presidentit Meta në emisione të ndryshme televizive para zgjedhjeve.
“Ta dijë mirë kushdo nga ata që ke nxjerrë atje ti, një votë u prek do të pritet dora dhe kjo nuk është në kuptimin figurativ”, ka thënë në një ndër to Meta.
Ndër provat që u paraqitën në komision ishin dhe deklaratat e Metës në një emision për ambasadoren Yuri Kim. Ndërkohë në mbledhjen e sotme do të marrë detyrën eksperti ligjor i komisionit, Artan Spahiu.
Në mbledhjen e kaluar, deputetët vunë në diskutim gjendjen psikologjike të Metës, megjithatë për anëtarët e komisionit ky nuk është objekt i hetimit. Të martën është caktuar mbledhja e radhës ku Presidenti Meta është ftuar në një seancë dëgjimore.





