Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, foli pas barazimit 1 me 1 që skuadra e tij regjistroi në shtëpi ndaj Flamurtarit. Tekniku shprehu pakënaqësi për rezultatin, teksa derklaroi: “Shkëlqimi nuk ishte, por rezultati nuk është i drejtë. Duhet ta kishim luajtur pjesën e parë, pjesa e dytë nuk ishte ajo Teutë që donim. Ky është futbolli, iu thashë që vetëm me goditje standarte mund të na ndëshkojnë. E parandjeva, autogoli dhemb. Dua t’iu them brava çunave për reagimin. Duhet të jemi më cinikë, më të matur, më me eksperiencë. Duhet përqendrim më shumë. Në pjesën e parë kishim mendimin, aksionet, por vuajmë finalizimin në 20 metrat e fundit.

Ekipi që funksionoi me Tiranën, nuk ndryshohet. Ishte hera e parë që kemi luajtur dy ndeshje rresht me të njëjtin formacion. Toli nuk u fut në lojë aq shpejt sa e dëshironim. Ishte efikas te krosimi i golit, nuk më pëlqeu si e intepretuam pjesën e dytë. Na mungoi diçka, që tani në të nxehtë nuk e them dot pse. Diçka nuk funksionoi. Po mos kishte ndodhur autogoli, nuk ishim për barazim.

E dinim që trajneri Moreiro nuk do të ishte. Ishim të sigurt që Flamurtari do të luante me 4 mbrapa. Flamurtari nuk na rrezikoi në asnjë moment, duhet ta pranojmë. Nuk duhet të jemi të lexueshëm, në çdo ndeshje duam të fusim gjëra të reja. Zakonisht shumicat e aksioneve janë nga krahu i majtë. Djemtë kuptohen me mirë me njëri-tjetrin. Vagner, nuk njihet aq mirë, dy ndeshje kanë bashkë, të tjerët kanë automatizma. Duhet të jemi më cinikë. Duhet t’i zgjidhim më mirë. Të jemi kërkues dhe të vazhdojmë rrugën e ngritjes. Të mos kemi oshilacione.

Llogaritë do i bëjmë, kanë ngelur edhe 10 ndeshje. Sot donim me patjetër fitoren dhe të jemi afër Final 4. Fitorja sot mund të na jepte siguri, për të mos parë poshtë dhe të shikojmë sipër. Kampionati shqiptar është i paparashikueshëm. Shikojmë rezultatet, çdo javë ka surpriza. Duhet të kemi vazhdimësi. S’kemi marrë asnjëherë 3 fitore rresht. Bravo ekipit për reagimin, sepse këto ndeshje edhe mund t’i humbasësh. Më bëhet qejfi edhe për Dacin”, u shpreh Dobi.