Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, analizoi barazimin 2 me 2 që skuadra e tij arriti në “Niko Dovana” ndaj Partizanit. Në prononcimin e dhënë tekniku i ekipit durrsak deklaroi:

“Kjo na dhemb, futbolli është lojë gabimesh, përsëritëm dy gabime. Me volumin që dhanë çunat u munduan jashtëzakonisht, por ishim naivë në dy golat. Përqëndrimi duhet të ishte akoma më i madh. Pas golit të pësuar, reaguam mirë, këto ndeshje duhen fituar. Nuk them se luajtëm super ndeshje, por ishim të ndërgjegjshëm, Partizani është ekip i fortë, por donim të fitonim. Më vjen keq për tifozët, sepse prisnin 3 pikësh. Ky është futbolli, të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Golin e parë e morëm në momentin që e kishim topin ne dhe e humbëm. Partizani nuk na rrezikoi në pjesën e parë për veç një aksioni. Teuta dallohet për presingun ultra ofensiv. Duhet të ishim më të qartë në rikuperimin e topave. Ishim me një kohë vonese. Alternativat pas daljes së Dacit ishin të cunguara. E dinim të destinuar për të kërkuar fitoren dhe për t’u futur në lojë për “Final 4”.

Te tranzicioni pozitiv nuk ishim në nivelin e duhur. Kur humbet një pikë referimi në sulm, është e vështirë. Një trajner ka një plan, kishim mungesa në sulm, na u komplikuan gjërat. Duhet ta interpretonim ndryshe, duhet të ishim më të qartë te loja ofensive. Zogos duhet të bënte tripletë në goditje standarte. Duhet të jemi më vigjilentë te golat që pësojmë. Është e vështirë të adoptohemi kur mungojnë lojtarët me automatizma. Na mungonte sinkronizimi”, u shpreh Dobi.