1 dhjetor 2014 – Deputetja Mesila Doda ka vendosur të rikthehet në Kuvend, për t’iu bashkuar nismës së hapjes së dosjeve të regjimit komunist. Doda ka dorëzuar draftin për Ligjin e Lustracionit, ndërsa u ka bërë thirrje kolegëve të djathtë që të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë nismën. Mesila Doda, nën shoqërinë e kryetarit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, pjesë e koaliconit opozitar, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit projektligjin e Lustracionit në mbështetje të nismës së shoqërisë civile. E pyetur nga gazetarët, Doda u shpreh:
"Do të jem në Parlament për ta mbrojtur patjetër. U kërkoj që gjithë kolegët e mi, të partisë sime të jenë të pranishëm për ta mbështetur këtë nismë ligjore. Nuk do ketë kthim pas dhe nuk mund të tërhiqemi për asnjë arsye, unë do ta mbroj patjetër ligjin. Ia kam kërkuar kryeministrit në të gjtiha deklaratat që kam bërë. Shpresojmë që politika do të bashkohet me këtë akt ligjor", duke shtuar se pas këtij hapi nuk ka më kthim pas.
Ndërsa kreu i PDIU-së tha se: "Është në ndërgjegjen tonë për të vendosur në vend aktin më të përgjegjshëm që duhet të bënte politika para disa vjetësh. E vërteta na bën mirë të gjithëve dhe besojmë se do të shkojmë në Europë me të vërtetën."
Po ashtu, në një postim në "Facebook" Doda ka ripërsëritur apelin drejtuar deputetëve demokratë: "Ftoj gjithë kolegët e mi deputetë ta mbështesin këtë projektligj, sepse qëllimi i tij është dekomunistizimi i shoqërisë dhe shtetit shqiptar dhe nxjerrja në dritë e historisë së vërtetë të komunizmit. Askush nuk ka pse të ketë frikë nga e vërteta, të vërtetat janë të domosdoshme për momentin që po kalojmë dhe për historinë e largët dhe të afërt të Shqipërisë dhe shtetit të saj".
Statusi i deputetes në "Facebook"
Sot u zyrtarizua nisma ligjore "Për hapjen e dosjeve dhe procesin e lustracionit". Kjo nismë vjen si pasojë e një pune disavjeçare të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut dhe me mbështetjen e studentëve të dhjetorit dhe të persekutuarve politikë.
Politika shqiptare ka rastin të tregojë seriozitetin e saj për këtë çështje, si dhe interesin për të mbrojtur një gur themeli në rrëfimin e të vërtetave historike dhe largimin e zyrtarëve të lartë të regjimit të kaluar dhe bashkëpuntorëve të sigurimit të shtetit nga postet e larta shtetërore.
Në cilësinë e deputetes dhe një prej pjesëmarrëseve të lëvizjes së dhjetorit, mbështeta këtë nismë ligjore dhe sot e deklaroj si një premtim të mbajtur ndaj zgjedhësve të mi, bërë disa vite më parë.
Ftoj gjithë kolegët e mi deputetë ta mbështesin këtë projektligj, sepse qëllimi i tij është dekomunistizimi i shoqërisë dhe shtetit shqiptar dhe nxjerrja në dritë e historisë së vërtetë të komunizmit.
Askush nuk ka pse të ketë frikë nga e vërteta, të vërtetat janë të domosdoshme për momentin që po kalojmë dhe për historinë e largët dhe të afërt të Shqipërisë dhe shtetit të saj.





